Tsitsipas eliminon Nadal, në finale përballet me Djokovic

Tenis 12 Maj 2019 10:47

Tenisti grek Stefanos Tsitsipas ka mposhtur 2-1 (6-4, 2-6, 6-3) spanjollin Rafael Nadal në gjysmëfinalen e turneut Masters të Madridit, duke u kualifikuar për në finale.

Një rezultat disi i papritur ky, pasi Nadal konsiderohej favorit, për më tepër që luhet në fushat me dhè, sipërfaqja e tij e preferuar.

Gjithsesi, Tsitsipas bëhet sërish protagonist, pasi në janar eliminoi Roger Federer nga Australian Open dhe këtë herë nxjerrë “jashtë loje” numrin 2 në botë në turneun e shtëpisë. Një ndeshje e luajtur me hope nga Nadal, që vetëm në setin e dytë pati epërsi, duke mos qenë ende në formë.

Nadal nuk ka fituar ende asnjë turne këtë sezon, as në fushat me dhè. Në finale, përballë Tsitsipas do të jetë serbi Novak Djokovic.

Numri 1 në botë mundi me vështirësi 2-0 (7-6, 7-6) austriakun Dominic Thiem. Të dyja setet u vendosën në “tie break”, çka tregon se rivaliteti në fushë ishte i madh.