‘Turpi më i madh në histori’ – shtypi spanjoll tregohet i pamëshirshëm me Barcelonën

Futboll 08 Maj 2019 12:15

Ndërkohë që shtypi ndërkombëtar i bën jehonë kualifikimit të Liverpoolit në finalen e Champions League, pasi shkatërroi 4-0 Barcelonën në ‘Anfield’, në Spanjë mediet sportive nuk kursehen me kritika ndaj katalonasve.

“Turpi më i madh në histori”, është titulli i madh i gazetës Sport, e cila nënvizon se për herë të parë pas 5 vitesh Championsi nuk do të fitohet nga një skuadër spanjolle.

“Stuhi në ‘Anfield’”, shkruan AS, me imazhin e Ter Stegenit që sheh si topi rrokulliset drejt rrjetës, në njërin prej katër rasteve kur i ndodhi kjo.

“Skuqje” është titulli i Mundo Deportivos, që më poshtë nënvizon: “Goli qesharak i 4-0, i marrë pas goditjes së këndit, është epitafi i një skuadre që ka ripërjetuar Romën.”

Duke u kthyer te prestigjiozja AS, nuk kursehen kritikat për trajnerin Valverde: “Nuk është në lartësinë e Championsit.”

Për titullin më goditës, është përkujdesur e famshmja Marca: “Dështimi historik”.