Tyson Fury ka një mesazh për Andy Ruiz

Sporte luftarake 17 Qershor 2019 09:10

Boksieri britanik Tyson Fury ka deklaruar sot se është gati të përballet me boksierin meksikan Andy Ruiz Jr, i cili dy javë më parë u shpall kampion bote në peshën e rëndë, pas triumfit ndaj Anthony Joshua.

Ruiz befasoi botën duke mposhtur britanikun dhe tashmë mban titujt kampionë të kategorive IBF, WBA dhe WBO.

Joshua dhe Ruiz Jr do të zhvillojnë revanshin në fund të këtij viti, ndërsa Fury ka deklaruar se do të duelojë sërish në javën e fundit të shtatorit ose në tetor.

Pas triumfit dje ndaj Tom Schwarz, boksieri britanik Fury pranoi se është gati të duelojë ndaj Andy Ruiz dhe më pas radhën do ta ketë Deontay Wilder, me të cilin barazoi 7 muaj më parë.

“Andy bëri një paraqitje të madhe dhe për fat të keq kontrata i ka lidhur duart, pasi duhet të zhvillojë revanshin me Joshua. Mendoj se unë dhe Wilder e mundim Ruiz Jr me shumë lehtësi. Gjithsesi, nëse Andy e fiton edhe revanshin ndaj Joshua, atëherë e ftoj të duelojmë së bashku”, tha Fury.

Më tej boksieri i pamposhtur britanik tha: “Unë e shoh si plotësisht të realizueshëm këtë sfidë. Në fund të fundit ai ka disa tituj që më takojnë mua, askush nuk mi ka marrë ato në duel. Andy nuk më tremb aspak. Mendoj se ne mund të zhvillojmë një duel shumë të mirë mes nesh dhe argëtojmë fansat”.