Tyson Fury pranon kërkesën e WBC, i mbetet vetëm ta mposhtë Wilderin

Boks 09 Tetor 2018 21:59

Tani po, tani Tyson Furyt mund të njihet si kampion i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC nëse e mund Deontay Wilderin më 1 dhjetor në Los Anxhelos.

24 orë më parë, presidenti i WBC, Mauricio Sulaiman, kërcënoi Fury se nuk do ta njohë si kampion bote në rast se e fiton duelin, për shkak se nuk ka nënshkruar protokollin antidoping të WADA-s.

Nëse Fury nuk hyn në programin tonë, ne nuk do ta njohim këtë si duel zyrtar dhe Fury nuk do të njihet si fitues në rast se fiton. Në rast se Fury nuk nënshkruan programin antidoping ai nuk do të shpallet kurrë kampion i kësaj kategorie. Por Tyson dhe stafi i tij më kanë premtuar se do të nënshkruajnë dhe unë u besoj”, tha Sulaiman.

Por, ka qenë vetë Sulaiman ai që ka treguar se është zgjidhur ky problem dhe natyrisht, nëse ai triumfon me 1 dhjetor, do të njihet si kampion i botës pasi 30-vjeçari ka pranuar të përfshihet në kontrollin e WADA-s.

Sipas këtij protokolli, boksieri i nënshtrohet testeve antidoping, ndërkohë që në të shkuarën Fury ka dolë pozitiv me kokainë, të cilën ai deklaroi se e merrte për shkak të depresionit.

Tashmë që ky problem është zgjidhur, Fury mund të vazhdojë të përgatitet rregullisht për duelin që do të zhvillohet në stadiumin “Staples Center” të Los Anxhelosit, ku do të kërkojë të rikthehet kampion bote.

Fury ka qenë kampion në peshën e rëndë, por titujt iu hoqën pikërisht pas skandalit doping. Britaniku është i pamposhtur në ring ashtu sikurse edhe Wilder, ndaj kjo përballje pritet me interes.