U bë i famshëm në Angli me pankartën falënderuese, por ferizajasi vite më parë ishte bërë hit edhe në Kosovë

Futboll 13 Shtator 2019 11:22

Kristian Gashi i cili në ndeshjen e fundit të Kosovës kundër Anglisë bëri një gjest i cili nuk kaloi pa u komentuar edhe në mediat angleze.

Pankarta e tij “Duke i’u falënderuar juve, ne po luajmë kundër jush. Anglia jonë e dashur”,  u vu në fokus të medieve botërore, por vite më parë ferizajasi ishte pjesë e një videoje ‘hit’ në internet.

Rreth dhjetë vjet më parë, Gashi ishte bërë i njohur gjatë një vox-popi ku ishte pyetur për mungesën e banjove publike në Ferizaj.

Përgjigja e vetme e tij kishte qenë një buzëqeshje karakteristike, e cila ka marrë me miliona shikime në Youtube.

Por, historia e djalit nga fshati Bibaj i Ferizajt është me të vërtetë prekëse.

Ai ishte vetëm dhjetë vjeç kur e kishte përjetuar tmerrin e luftës, dhe kishte fjetur nëpër bodrume e kisha, përderisa fshati i tij i lindjes për çdo ditë boshatisej e digje nga forcat serbe.

Gashi kishte përjetuar Stankovecin, pastaj kishte shkuar refugjat në Kroaci, por kujton gjyshin e tij që nuk e kishte lëshuar shtëpinë, dhe sipas tij, serbët e kishin maltretuar disa herë.

Kristian Gashi është një tifoz i flaktë i futbollit, i ekipit të Juventusit.