U shqiptua vendimi gjyqësor për katër lojtarët e West Brom

Futboll 19 Shkurt 2018 14:13

Një ngjarje e pazakontë që kishte ndodhur të enjten e kaluar në qytetin e Barcelonës, ku ishin të përfshirë katër lojtarë të West Bromwich Albion në “vjedhjen” e një taksie, sot morën vendimin e një gjykate në Barcelonë.

Ngjarja e cila filloi si shaka nga katër lojtarët e West Brom, Johnny Evans, Gareth Barry, Jake Livermore dhe portieri Boaz Myhill, të cilët kishin “vjedhur” si në shaka veturën taksi, pasi shoferi i saj kishte ndaluar në një McDonald’s, për të marrë ushqim për lojtarët të cilët ishin në veturë dhe po ktheheshin në hotelin e tyre.

Fillimisht rasti ishte paraqitur në polici menjëherë nga një punonjëse e McDonald’s dhe më pas u kuptua që bëhej fjalë për katër futbollist të famshëm.

Në fakt, sot në një gjykatë të Barcelonës, pritej që katër lojtarët do të dënoheshin nga 31 deri 90 ditë punë në komunitet. Megjithatë, papritmas gjykatësi braktisi rastin, me arsyetimin për shkak të mungesës së provave dhe në rast se në të ardhmen do të dalin prova të reja, rasti edhe mund të rihapet, gjë që nuk besohet se do të ndodh.

E gjitha kjo ndodhi, pasi që shoferi i taksisë kishte vendosur që mos t’i padiste lojtarët në fjalë, edhe pse fillimisht e kishte paraqitur rastin në polici.

Por, lojtarët nuk ngelën pa u ndëshkuar, së paku nga trajneri i tyre, Alan Pardew, i cili edhe fillimisht kur kuptoi për këtë “shaka” të lojtarëve të tij, kishte deklaruar se klubi dhe ai personalisht, do të marrin masa për katër lojtarët.

Ish-mbrojtësit të Manchester United, i cili nga viti 2015 u bë lojtarë i West Bromwich Albion dhe bartë shiritin e kapitenit, nga trajneri Pardew iu mohua a drejta e të qenit kapiten i skuadrës për një kohë të pacaktuar, duke filluar nga ndeshja që West Brom e zhvilloi të shtunën në kuadër të Kupës FA, ku u mposht nga Southampton dhe u largua nga gara.
Përndryshe, lojtari i Irlandës së Veriut, Johnny Evans, kërkoi ndjesë për gjestin e tij dhe bashkëlojtarëve të tij për “shakan” që ia bënë shoferit spanjoll të taksisë.

Skuadra e West Bromwich Albion, kishte qenë mesjavën e kaluar në Barcelonë në një udhëtim stërvitor për lojtarët e tyre. Ekipi është duke kaluar edicion të vështirë në Premier League, ku po lufton për mbijetesë dhe është ne pozitën e fundit në tabelë, me vetëm 20 pikë.
Nga 27 xhirot e zhvilluara ata kanë arritur të shënojnë vetëm 3 fitore, derisa kanë 11 barazime dhe plotë 13 humbje. /Insporti.com

-->