UEFA në panik për shkak të Kosovës

Kombëtarja 03 Dhjetor 2019 16:38

Përveç shortit për Kampionatin Evropian të futbollit, ekzistojnë edhe disa shqetësime të tjera për shtëpinë më të madhe të futbollit evropian UEFA.

Ndeshjet e Ligës së Kombeve zhvillohen në muajin mars dhe në varësi të disa rezultateve, mund të ketë disa lëvizje interesante në grupe, shkruajnë mediat serbe.

Në rast të kualifikimit, Kosova do të rreshtohej në Grupin C, por nëse kualifikimin e arrin edhe Rumania, atëherë rumunët kalojnë në Grupin C, dhe Kosova del në Grupin F.

Arsyeja pse Rumania është caktuar në Grupin C është shumë e thjeshtë – pasi ndeshjet e këtij grupi luhen në Bukuresht dhe Amsterdam.

“Kjo do të zvogëlonte ndërlikimet e UEFA-s. Njëra prej Islandës, Bullgarisë dhe Hungarisë do të shkonin në Grupin F me Gjermaninë, Portugalinë dhe Francën duke luajtur në Mynih dhe Budapest. Ndërsa fituesi i Ligës D të Ligës së Kombeve, mes Kosovës, Gjeorgjisë, Bjellorusisë dhe Maqedonisë së Veriut vazhdon në Grupin C”, shkruan mediumi serb ‘Mondo.rs’.

“Por, në rast se kualifikohet Kosova, atëherë kjo do të shkaktojë vështirësi. Kjo për arsye se Kosova do të luajë në një vend që nuk i njeh zyrtarisht pavarësinë. Rumania është njëra nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës pas Spanjës, Sllovakisë, Qipros dhe Greqisë. Kështu që do të shkaktonte vështirësi për shkak se Kosova do të luante në Bukuresht”, shkruan më tej mediumi serb.

Hyrja për gazetarët kosovarë do të lejohej me një vizë të veçantë, por që tifozët nuk do të lejoheshin.

Por, Kosova mund të ketë probleme edhe në një aspekt tjetër.

Në rast të kualifikimit në Grupin C, ‘Dardanët’ do të luajnë me Ukrainën, me një shtet që nuk e njeh pavarësinë e tyre.

Ukraina nuk kishte pranuar të luante me Kosovën në Kiev, kështu që ndeshja eliminatore e Kupës së Botës 2016 ishte zhvilluar në terren neutral – në Krakow të Polonisë – ndërsa ajo e kthimit në Shkodër të Shqipërisë.

-->