UFC-240 me duel për titullin kampion, zbulohet plani i Dana White

Sporte luftarake 14 Maj 2019 10:36

Presidenti i UFC-së, Dana White, po planifikon të zhvillojë duelin e titullit kampion bote në peshën “featherweight” (pesha 61-66kg) mes kampionit në fuqi Max Holloway dhe Frankie Edgar.

Sipas gazetarit të ESPN, Brett Okamoto, ky duel do të zhvillohet më 27 korrik, në eventin UFC-240, që do të organizohet në Kanada.

Holloway, 27 vjeç, vjen në këtë përballje pas dështimit për t’u bërë kampion i dyfishtë i botës. Ai u mund në duelin për titullin e përkohshëm të peshës së lehtë (pesha 66-70kg) ndaj Dustin Poirier tri javë më parë.

Holloway ka vendosur të rikthehet në Divizionin e tij, në peshën “featherweight”, ku pritet të mbrojë titullin ndaj Edgar.

Edhe Frankie Edgar (23 fitore, 6 humbje dhe 1 barazim në karrierë) ka dueluar për herë të fundit në prill, kur fitoi ndaj Cub Swanson dhe tashmë i jepet mundësia të duelojë sërish për titull.

37-vjeçari Edgar, 9 vite më parë ka qenë kampion bote në peshën e lehtë, por tani synon të hedhë mbi supe një tjetër titull kampion, në një Divizion tjetër.

Për momentin palët janë ende në bisedime dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Sido që të jetë, duke parë se deri më tani nuk ka ende asnjë duel të madh në eventin UFC-240, me shumë gjasa kjo do të jetë sfida e titullit në këtë event.

Holloway numëron 20 fitore e 4 humbje në karrierën e tij. Në peshën “featherweight” ai e ka mbrojtur 3 herë titullin e këtij Divizioni.