Ujkani: Fadil Vokrri nuk e meriton këtë çfarë po ndodh

Nations League 11 Tetor 2018 08:21

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, është shprehur i pakënaqur me mënyrën e shitjes së biletave, të cilat në një apo tjetër mënyrë – po përfundojnë në tregun e zi.

Numri një i portës së “Dardanëve” tregoi se si nuk kanë bileta as familjarët e tij apo edhe të futbollistëve tjerë dhe ka kërkuar urgjentisht të ndryshohet diçka, në emër të të ndjerit, kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

“Nuk është në rregull çfarë po ndodh, Vokrri nuk e meriton këtë, nuk e meriton as populli i Kosovës. As lojtarët s’kanë bileta (për familjarët), organizimi i shitjes së tyre (biletave) duhet të ndryshojë”, tha kapiteni.

Në pikat e shitjes së biletave u shkaktua kaos i madh, u desh të ndërhyjë edhe policia për të shpërndarë tifozët që prisnin për bileta, derisa më pas filloi edhe shitja e tyre në tregun e zi, pavarësisht së kësaj radhe FFK vendosi që një person t’i blejë vetëm 5 copa.

Për tribunat jugore dhe ato në veri, biletat kushtonin 2 dhe 3 euro, derisa në tregun e zi, ato shiten 25 dhe 30 euro.

Në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, biletat përfunduan më shumë në tregun e zi, shiteshin mbi 25 euro edhe ato të tribunës perëndimore dhe asaj lindore. /Insporti.com/