United 0-1 Barcelona, kështu e komenton Valverde

Futboll 11 Prill 2019 08:14

Ernesto Valverde është i lumtur me fitoren e Barcelonës 1:0 kundër Manchester Unitedit në ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve.

Luke Shaw shënoi në portën e vet herët në ndeshje duke i dhënë Barcelonës një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të mërkurën në Old Trafford.

Fitorja në udhëtim pa pranuar gol, të cilën Barcelona nuk e ka bërë të paktën në tri sezonet e fundit në fazën çerekfinale, i jep skuadrës së Ernesto Valverdes shumë mundësi ta sigurojë gjysmëfinalen në këtë garë për herë të parë pas sezonit 2014/15.

“Duke e parë atmosferën këtu dhe ekipin kundër të cilit luajtëm dhe në një garë si Liga e Kampionëve, them se është shumë vështirë të fitosh. Kohë pas kohe ka qenë e komplikuar për ne, por në shumicën e rasteve kemi dominuar dhe i kemi pasur rastet më të mira”, tha Valverde pas ndeshjes.

Kjo ishte fitorja e parë e Barçës ndaj Unitedit në Old Trafford. Ndeshja e kthimit mes tyre në Camp Nou zhvillohet javën e ardhshme.