United e City, hidhen në sulm për futbollistin e ri brazilian

Futboll 11 Prill 2018 11:51

Përkundër se investuan verën e kaluar qindra miliona euro për transferimin e futbollistëve, duket se edhe kjo verë do të jetë e nxehtë për dy skuadrat nga Manchester, ajo e United dhe City.

Manchester United, Manchester City, por edhe Everton, janë duke e përcjell më vëmendje sulmuesin e ri të Watford, brazilianin Richarlison.

20 vjeçari, vitin e kaluar u transferua nga ekipi brazilian Fluminense për në Premier League tek skuadra e Watford për shumën prej 12.4 milionë euro.

Richarlison pati një fillim fantastik me Watford në sezonin e tij të parë në Premier League, duke shënuar 5 gola në 12 ndeshjet e tij të para.

Mirëpo, sulmuesi 20 vjeçar, tash e një kohë ka dështuar të realizojë, më saktësisht nga nëntori i vitit të kaluar dhe shtypi britanik ka kuptuar se, tek skuadra e Watford janë të brengosur për këto vështirësi që po i kalon braziliani, pasi ai kishte luajtur 12 muaj pa ndërprerje, së pari me Fluminensen në Brazil, e pastaj menjëherë që nga transferimi i tij në gusht, edhe me Watford në Premier League dhe duket se ka nevojë për pak pushim.

Braziliani këtë sezon për Watford ka pasur plotë 36 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave 33 në Premer League, që i bie se nuk ka munguar në asnjë xhiro dhe në 30 ndeshje ka qenë në formacionin bazë.

Verën e kaluar para se Richarlison të kalonte tek Watford, edhe Chelsea e kishte konsideruar transferimin e reprezentuesit të U-20 të Brazilit, por gjasat që ai të kishte paraqitje të rregullta për “Blutë” e Londrës ishin të pakta dhe për këtë arsye vendosi kalimin në “Vicarage Road” te Watford, ku do të kishte më tepër minuta në fushë.

Richarlison de Andrade, ka kontratë me Watford deri në vitin 2022 dhe bëhet e ditur se klubi anglez, do të konsideronte vetëm ofertat që sillen rreth 40 milionë euro nga skuadrat e interesuara për sulmuesin brazilian.

Përndryshe, përveç skuadrave të lartpërmendura, interesim për transferimin e tij gjatë verës, kanë shfaqur edhe PSG, Monaco, Arsenal e Chelsea. /Insporti.com

-->