US Open me finale të papritur

Tenis 06 Shtator 2019 18:25

Tenistja amerikane Serena Williams dhe ajo kanadeze Bianca Andreescu janë dy finalistet e Grand Slam të US Open, të kualifikuara mëngjesin e sotëm pas ndeshjeve gjysmëfinale të luajtura në turneun prestigjioz.

Serena Williams, finaliste edhe vitin e kaluar, mposhti 2-0 ukrainasen Elina Svitolina (6-3, 6-1). Dy sete që ishin një formalitet për veteranen 37-vjeçare, që pati epërsi gjatë gjithë kohës. Tenistja amerikane nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fitoren, duke treguar një formë të shkëlqyer.

Për herë të parë shkon në finalen e një grand slam-i tenistja kanadeze Andreescu, që mposhti 2-0 (7-6, 7-5) zviceranen Belinda Bencic. Një ndeshje me rivalitet dhe emocione në të dyja setet, por pikët shtesë i dhanë fitoren kanadezes, që synon të shkruajë historinë.