Vajza e Schumacher deklarohet për herë të parë

Formula 1 09 Maj 2018 15:18

Michael Schumacher vuan ende nga një aksident tragjik që pësoi teksa bënte ski në Meribel të Francës, në vitin 2013, prej të cilit duket se nuk është rikuperuar kurrë plotësisht, por lutjeve të fansave të tij, familja iu është përgjigjur me një heshtje totale në respekt të privatësisë.

Gina-Marie, 21 vjeç, flet për herë të parë në një intervistë për rrjetin televiziv gjerman “NDR”, mbi sukseset personale në kalërim, e po ashtu edhe për të atin e saj, legjendën e Formula 1, Michael Schumacher.

“Kam shkuar për gara në karting me babain për një sezon, por nuk më pëlqeu. Preferova më mirë kuajt”, thotë ajo.

Miliona fansa të pilotit gjerman anembanë botës kanë kryqëzuar gishtat prej vitesh, në kërkim të një informacioni me gjendjen shëndetësore të tij. 7 herë kampioni i botës në Formula 1, pësoi dëmtime të rënda në kafkën e kokës, pasi u rrëzua teksa bënte ski në alpet franceze në fundin e vitit 2013.

49-vjeçari është nën përkujdesjen e familjes së tij, në shtëpinë pranë liqenit të Gjenevës, në Zvicër, ku vijon rikuperimin dhe që prej atëherë, gjendja shëndetësore e Schumit, mbetet një mister, pasi stafi i tij menaxherial shprehet se ajo nuk është çështje e interesit publik.

Edhe familja në përgjithësi e Schumacher, rrallëherë kanë fokur mbi gjendjen e tij që prek aksidentit, megjithatë në një postim të rrallë në mediet sociale vitin e kaluar, Gina-Maria shkroi një mesazh frymëzues për fansat, duke mbajtur ende gjallë shpresat për rikuperimin e tij.

Mesazhi i saj në rrjetin social ishte: “Në jetë ka vetëm gëzime, të dashurosh dhe të dashurohesh. Vazhdo të luftosh!”.

Menaxherja Sabine Kehm, ka thënë se familja ka qenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen që i kanë dhënë fansat.

“Ajo që mund të them është se familja me të vërtetë i vlerëson mesazhet inkurajuese të fansave të tij. Njerëzit e kuptojnë shumë mirë situatën e tij shëndetësore, gjë që nuk mund të ndahet me të gjithë publikun”, deklaroi Kehm.

Michael Schumacher, është një nga pilotët më të mëdhenj të historisë së Formulës 1, 7 herë kampion bote në vitet 1994 dhe ’95 me Benettonin, si dhe 2000-2004 me Ferrarin. Ai ruan ende rekordet e më shumë titujve, më shumë garave të fituara, më shumë podiumeve, disa xhiro të shpejta dhe pikët e grumbulluara në një sezon gjatë karrierës së tij. /Insporti.com

-->