Vaki kosovare, sërish ndërrohen gjyqtarët në Superligë, FFK nuk e njofton opinionin!

Futboll 29 Tetor 2021 14:37

Komisioni për Delegimin e Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës i ka deleguar gjyqtarët për xhiron e 12-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Si fillim ishte njoftuar se gjyqtar në VAR në ndeshjen Drita – Malisheva do të jetë Genc Nuza.

Image

Ndryshe, Zeri.info mëson se Nuza është larguar nga kjo ndeshje dhe është deleguar në VAR në takimin Ulpiana – Drita, ku gjyqtar ishte Lirim Jashari, i cili është larguar nga lista.

Ndërkohë, vendin e lënë bosh në VAR në ndeshjen Drita – Malisheva tashmë e ka zënë Ilir Mehmeti.

Image

Për këtë xhiro janë ndërruar edhe gjyqtarët e katërt në ndeshjet Dukagjini – Gjilani dhe Ulpiana – Ballkani.

Si fillim ishte paralajmëruar se Bardh Ajeti do të jetë në ndeshjen Dukagjini – Gjilani, kurse Arben Halilaj në Ulpiana – Ballkani.

Ndërrimet së fundmi janë bërë kokë me kokë. Ajeto do të jetë në Ulpiana – Ballkani teksa Halilaj në Dukagjini Ballkani.

Kryetar i delegimit të gjyqtarëve është Gani Havolli, të cilin gazeta nuk ka mundur që ta kontaktojë. 

Arsyet e këtyre ndërrimeve nuk dihen.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë edicion ndodhin ndërrimet e gjyqtarëve.

Edhe në takimin Gjilani – Drenica ishte planifikuar që drejtësinë ta ndajë Visar Kastrati derisa Alban Shala ishte gjyqtar në VAR.

Më pas është bërë ndërrimi duke e bërë Shalën kryesor, teksa Kastrati është larguar nga lista.

Raste të tilla të ndërrimit të gjyqtarëve ndodhin edhe në vende të ndryshme, mirëpo çudia në Kosovë është se në faqen zyrtare të FFK-së (ffk-kosova.com) nuk janë lajmëruar ndërrimet.

-->