Valon Berisha nuk ia del, mungon sonte kundër Spanjës

Uncategorized 31 Mars 2021 15:15

Valon Berisha nuk do të luajë kundër Spanjës në ndeshjen e sotme. Berisha nuk ka arritur të rikuperohet në kohë për ndeshjen e sotme, duke qenë një mungesë e madhe për Përfaqësuesen e Kosovës në mesfushë, raporton Insporti.com.

Mungesën e Berishës e ka konfirmuar drejtori teknik i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti për Klan Kosovën.

Berisha ishte titullar në fitoren kundër Lituanisë në ndeshjen miqësore, por pas një lëndimi të pësuar në stërvitje nuk arriti të luajë as kundër Suedisë të dielën e kaluar.

Mesfushori i Stade de Reims kishte dëshirën e madhe për t’u paraqitur në këtë sfidë, duke udhëtuar me skuadrën në Sevilla. Ai dje mori pjesën në seancën stërvitore por që nuk ia ka dal të jetë i gatshëm për sonte.

Përvoja dhe lidershipi i madh i Berishës do të jetë një mungesë shumë e rëndësishme në mesfushën e përzgjedhesit Challandes, pasi dihen kualitetet e lartë të spanjollëve në mesfushë.

Shteti spanjoll është ndër pesë shtetet evropiane që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Përfaqësuesja e Kosovës sonte do jetë mysafire e Spanjës në ndeshjen e grupit B.

Ndeshja do të zhvillohet në Sevilla me fillim të orës 20:45, në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla të Spanjës.  /Insporti.com/

-->