Valverde pritet të shkarkohet sot, del emri i ri për pasuesin e tij

Futboll 28 Maj 2019 13:34

Ernesto Valverde pritet të shkarkohet të martën (sot) nga pozita e kryetrajnerit te Barcelona.

Sipas El Mundo, Diario Sport e shumë mediumeve tjera, vendimi i marrë nga kryesia është që të largohet trajneri.

Vendimi po ashtu thuhet se i është bërë i ditur edhe Valverdes.

Trajneri Roberto Martinez tani është favoriti për të marrë udhëheqjen e ekipit.

Valverde ka udhëhequr Barçën drejt dy titujve të La Ligas rresht, ndërsa sivjet dështoi në finale të Kupës, por edhe u përmbys nga Liverpooli në gjysmëfinalen dramatike të Ligës së Kampionëve, prej 3:0 në ndeshjen e parë, në 4:3 në rezultat të përgjithshëm pas ndeshjes së dytë.

Ngjashëm, Valverde me Barcelonën ishin eliminuar edhe vitin e kaluar, duke e lëshuar epërsinë e fitores 4:1, për të humbur 3:0 nga Roma në ndeshjen e kthimit.