Vazhdojnë vuajtjet për Argjentinën, Messi me shokë ndalen sërish

Futboll 20 Qershor 2019 08:53

Argjentina zhgënjeu sërish në Copa America, pasi në ndeshjen e dytë nuk mori më shumë se sa barazim 1:1 përballë Paraguait.

Trajneri Scaloni kishte bërë disa ndryshime në formacion, duke luajtur me Messin dhe Lautaro Martinezin në sulm, por “Albicelestët” u gjendën në disavantazh në minutën e 37′, pas golit të Sanchez.

Në “Mineirao” të Belo Horizontes ishte Lionel Messi që ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 57′ të takimit, duke rivendosur baraspeshën.

Vetëm 5 minuta më vonë Paraguai shpërdoroi një mundësi “të artë” për t’u rikthyer në avantazh, pasi Gonzalez gaboi nga pika e penalltisë, ndërsa deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar.

Në sfidën tjetër të grupit, Kolumbia mori fitoren e dytë radhazi, këtë herë me rezultatin minimal 1-0 përballë Katarit. Takimi u vendos nga një gol i sulmuesit të Atalantës, Duvan Zapata, në minutën e 84-t, ndërsa me këtë 3-pikësh Kolumbia “fluturoi” në krye të grupit, me 6 pikë, duke siguruar kalimin në çerekfinale.

Sfidën e fundit në grup Argjentina do ta luajë përballë Katarit, ku i duhet fitorja për të shpresuar në kalimin në çerekfinale, ndonëse tani nuk ka çdo gjë në dorën e saj.