Veliu: Normalisht jam shumë i lumtur me ftesën, gjithashtu edhe familja

Kombëtarja 24 Dhjetor 2019 17:12

Talenti i KF Llapit, Valmir Veliu është ftuar nga Përfaqësuesja e A për ndeshjen miqësore kundër Suedisë, shkruan Insporti.com.

Veliu i cili ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses U21 është shprehur shumë i lumtur që është pjesë e listës për ndeshjen me Suedinë.

Mesfushori 19 vjeçar i KF Llapit për Insportin ka deklaruar se si rezultat i paraqitjeve të mira me U21, ka ardhur edhe ftesa nga Përfaqësuesja A. “Pas paraqitjeve te mia edhe me U21 të Kosovës kam qenë vazhdimisht i kontaktuar dhe përkrahur nga FFK-ja e sidomos pas lëndimit që kisha, andaj ftesa në Përfaqësuesen A mendoj që ka ardhur si rezultat i paraqitjeve në U21 dhe me KF Llapin”, ka deklaruar Veliu.

Veliu është shumë i lumtur për këtë ftesë, pasi ka bërë krenarë gjithë familjen e tij dhe klubin llapjan. “Normalisht jam shumë i lumtur me ftesën, gjithashtu edhe familja, trajnerët dhe klubi im KF Llapi të cilët i falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme. Mua me mbetet të vazhdoj të punoj edhe më shumë në mënyrë që ta arsyetoj edhe besimin e trajnerëve dhe bashkëlojtarëve të cilët më përkrahin vazhdimisht”, shtoi ai.

Image may contain: one or more people, people playing sport and outdoor

 

Për Insportin, Veliu rrëfeu se kumtimin e lajmit ia ka bërë menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala dhe se ende nuk ka biseduar me Challandes. “Jo me trajneri nuk kam biseduar por me menaxherin Bajram Shala. Ai më ka kontaktuar për lajmin  që jam i ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes”, përfundoi talenti llapjan.

Veliu këtë sezon në Superligë është paraqitur në 12 ndeshje për Llapi dhe ka dhuruar vetë dy asistime.

Miqësorja me Suedinë do të zhvillohet më 12 janar të vitit 2020. /Insporti.com/

 

 

-->