Vendimi i Qeverisë për karantinë, pezullohen këto aktivitete sportive

Superliga 06 Nëntor 2020 16:34

Në fundjavë nuk do të zhvillohen aktivitete sportive në ambiente të mbyllura. Kështu ka njoftuar Ibër Alaj, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Në të vërtetë Qeveria e Kosovës ka marrë të premten vendimin që ndalon veprimtarinë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës nga sot në ora 20:00 e deri të hënën në ora pesë të mëngjesit.

“Në bazë të vendimit të Qeverisë, pezullohen aktivitetet sportive. Vendimi ka të bëjë me aktivitetet në palestra, jo me ato në ambient të hapur. Pra futbolli lejohet”, ka thënë Alaj për KOHËN.

Në të vërtetë vendimi i Qeverisë pezullon edhe pikën 12 të një vendimi të 1 nëntorit, që thotë: Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.

Madje në vendimin e së premtes thuhet se kjo pikë pezullohet për kohë të pacaktuar. Pra sporti pritet të pezullohet më shumë se për fundjavë.

-->