Vendosa me zemër: Muslija flet për arsyet pse e la Gjermaninë për Kosovën

Kombëtarja 23 Qershor 2019 18:06

Florent Muslija ka folur për faqen zyrtare të klubit të tij, Hannoverit, duke treguar arsyet pse iu bashkua Kombëtares së Kosovës.

Muslija është ardhja më e re te Kosova, me futbollistin 20-vjeçar që iu bashkua këtë javë “Dardanëve”, shkruan Insporti

Talenti i ri i Kosovës më herët është paraqitur për grupmoshat e reja të Gjermanisë, ku ka 5 paraqitje dhe një gol me Gjermaninë U20.

Ai zbulon se vendosi me zemër që t’i bashkohej Kosovës, pasi që bëhet fjalë për vendlindjen e prindërve të tij.


Ylli 20-vjeçar, është që nga gushti i vitit të kaluar pjesë e Hannoverit

“Kontaktet kanë ekzistuar për një kohë të gjatë dhe interesimi në mua ka qenë i madh, ata kanë punuar me të vërtetë shumë për mua”, tha mesfushori ofanziv për faqen zyrtare të klubit, transmeton Insporti.

“Familja ime është prej aty [Kosovës], rrënjët e mia janë në Kosovë”, vazhdon Muslija për faqen e Hannoverit.

“Ishte një vendim me zemër, që është i duhuri për karrierën time ndërkombëtare, kam pasur dhe kam ndjenja shumë të mira për këtë”, ka thënë Muslija.

20-vjeçarit nuk do t’i duhet të presë shumë gjatë për debutimin e tij me Kosovën, pasi atë mund ta bëjë që në shtator, ku më datë 7, Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndaj Republikës Çeke. /Insporti.com/