Veprimi i Bale gjatë ndeshjes së Real Madridit i ka befasuar të gjithë

Futboll 07 Janar 2019 13:07

Disfata e Real Madridit me rezultat 2-0 ndaj Real Sociedadit ka nxitur shumë debate në botën e futbollit dhe i lënduari Gareth Bale është protagonisti i njërit prej këtyre debateve, pasi që ai u largua nga stadiumi Santiago Bernabeu 12 minuta para se të përfundonte ndeshja.

Uellsiani ishte duke shikuar nga tribunat në stadiumin Santiago Bernabeu pasi kishte pësuar një lëndim në ndeshjen e së enjtes kundër Villarrealit, mirëpo ai e la stadiumin në minutën e 78-të të ndeshjes.

Është ende e paqartë pse sulmuesi u largua kaq herët, mirëpo kamerat e emisionit televiziv spanjoll, El Chiringuito e kapën atë përderisa ishte duke u larguar, kur rezultati ishte ende 1-0 dhe bashkëlojtarët e tij po tentonin ta përmbysnin rezultatin.

Ish-lojtari i Real Madridit, Edwin Congo, sqaroi se lojtarët e përfshirë në skuadrën e ndeshjes, gjatë kohës së tij në klub, ishin të detyruar të qëndronin deri në fund të ndeshjes në stadium, mirëpo kjo gjë nuk është më e obligueshme.