Verstappen deklarohet pas garës së ‘çmendur’

Formula 1 28 Korrik 2019 19:02

Shoferi i Red Bullit, Max Verstappen, ka fituar garën kaotike të Shpërblimit të Madh të Gjermanisë në Formula 1 të dielën, garë që u përshkua nga lagështia, aksidente të shumta dhe periudha të shumta të veturës së sigurisë.

Verstappen arriti në fund të ngadhënjejë në këtë çmenduri, ndërsa lideri i Formula 1, britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton, dështoi të fitojë pikë.

“Është e jashtëzakonshme që triumfova. Ishte e vështirë për të marrë vendimet e duhura, duhej të ishe i fokusuar vazhdimisht. Unë bëra një rrotullim të mirë gjatë garës dhe e shijova. Me rëndësi ishte të mos bëje tepër gabime. Mëson gjatë viteve këtë dhe jam shumë i lumtur me rezultatin”, ka thënë Verstappen.

Gjermani i Ferrarit, Sebastian Vettel, ndonëse e nisi garën nga pozita e fundit startuese, përfundoi në vend të dytë. Ndërkohë piloti rus i Toro Rossos, Daniil Kvyat, doli i treti.

“Ishte një garë e gjatë dhe në disa momente dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ishte argëtuese, ishin kushte të vështira atmosferike dhe e vështirë të lexohet se cila është lëvizja më e mençur. U desh kohë për t’u adaptuar. Përgëzime Maxit, ai ishte shumë i mirë dhe thjesht vazhdoi”, ka thënë Vettel.

Verstappen përfundoi garën për 7.3 sekonda para Vettelit dhe 8.3 sekonda para Kvyatit. Kanadezi i Racing Point, Lance Stroll, përfundoi në vend të katërt.

“Është e jashtëzakonshme që jam kthyer në podium. Jam shumë i lumtur. Ishte sikur një film horror me satirë. Në disa momente mendova se gara mbaroi, por ishte e jashtëzakonshme, plot lëkundje, sikur karriera ime në përgjithësi”, ka thënë Kvyat.

Por dy garuesit liderë të Formula 1 mbetën pa fituar pikë. Rivali më i afërt i Hamiltonit në renditje të përgjithshme, finlandezi i Mercedesit, Valtteri Bottas, përfundoi garën gjashtë rrathë para fundit, duke mbetur kështu dallimi mes tyre në 39 pikë kur kanë përfunduar 11 nga 21 garat e parapara.

Gara e ardhshme e Formula 1 është ajo për Shpërblimin e Madh të Hungarisë, më 4 gusht.