Veseli për Insportin: Kjo çfarë ndodhi dje, nuk e lejojmë më – nesër takohemi me kryesinë

Futboll 06 Shkurt 2022 11:11

Rikthimi i Futbollit në Kosovë solli polemika të shumta për ndeshjet e Kupës së Kosovës, më saktë për takimin Gjilani – Dukagjini, ku këta të fundit u mposhtën me rezultat 2-1, me Gjilanin që vazhdoi garën ne Kupën e Kosovës, duke u kualifikuar në çerekfinale, shkruan Insporti.

Përveç kartonit të kuq ndaj sulmuesi malazez, Stefan Nikolic, takimi ishte shumë e tensionuar në minutat e fundit, kur edhe ishte ndërprerë transmetimi i drejtpërdrejtë nga Art Motion që ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës dhe Kupës së Kosovës.

Presidenti i klinasëve, Fabian Veseli nëpërmjet një shkrimi në rrjetin e tij social, Facebook shprehu indinjatë për gjërat që ndodhën në ndeshje, duke hedhur dyshime për një skenar të përbashkët “Gjilani – FFK”.

Teksa, ditën e sotme, i kontaktuar nga Insporti, Veseli bëri thirrje që të ketë drejtësi korrekte në ndeshjet e ardhshme, pasi kurrsesi nuk do të lejojnë që Dukagjini të dëmtohet më. Madje theksoi se për këtë çështje do të mbledhen nesër me kryesinë.

“Si për rastësi të gjitha gabimet bëhen kundër nesh, gjëra si për rastësi, që do të thotë 80% e sezonit të kaluar dhe ndeshja dje, kanë qenë dënime, heqje e kartonave të cilat ne nuk i duam. Ne duam drejtësi korrekte, por gjërat po nodhin dhe janë parë e po shihen. Do të takohemi nesër me kryesi dhe do të vendosim se çka tutje, një gjë është e sigurt se kështu nuk do të lejojmë më. Si klub nuk i kemi borxh askujt dhe do e mbrojmë vetën prej kujt do qoftë”- përfundoi Veseli.

Gazeta Olle kontaktoi ditën e djeshme me drejtorin e futbollit në Art Motion, Arlind Sadiku, i cili sqaroi se pse erdhi deri tek ndërprerja e transmetimit.

“Kemi pasur probleme teknike dhe për disa minuta ndeshja nuk ka qenë në transmetim”, tha Sadiku.

Teksa, edhe këtë çështje presidenti Veseli e hodhi në dyshime, duke ritheksuar se nuk ka pasë ndonjëherë ndërprerje të ndeshjes për 20 minuta.

“Drejtori atë detyrë e ka, ashtu të thotë se s’mundet për dëshirë s’e kemi transmetu me thënë. Kur ne e dimë që në asnjë pjesë të kampionatit s’ka pasë shkëputje 20 min, nëse don ta quan Art Motion aq të papërgatitur profesionalisht, pastaj në rregull pajtohemi” – tha Veseli për Insportin.

Ndryshe, rastin për kartonin e kuq ndaj Stefan Nikoliç e pa si tendencioz trajneri i klinasëve, Armend Dallku, i cili në një prononcim për Insportin reagoi ndaj gjyqtarit Dardan Çaka dhe e potencoi se sulmuesi malazez nuk e shau Çakën.

/Insporti.com

-->