Vettel në “pole position” pas 17 garave

Formula 1 08 Qershor 2019 22:23

Sebastian Vettel me Ferrari ka siguruar “pole position” në pistën e Montrealit, aty ku të dielën në mbrëmje do të zhvillohet gara e 7-të Botërorit 2019 të Formula 1, ajo e Çmimit të Madh të Kanadasë. Piloti gjerman ndali kronometrin në 1’10”240, duke qenë më i shpejti në pistë, “pole” që për të vjen pas 17 garash pritje. Pas tij u rendit Lewis Hamilton me Mercedes, duke kompletuar kështu vijën e parë të nisjes.

Pas tyre u rendit piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, ndërsa vendi i katërt i takon australianit Daniel Ricciardo me Red Bull, një rezultat surprizë. Në vijën e tretë të nisjes do të jenë Pierre Gasly me Red Bull dhe Valtteri Bottas me Mercedes. Ky i fundit zhgënjeu shumë gjatë provave zyrtare. Vetëm i 11-ti Max Verstappen me makinën tjetër Red Bull, i pafat në provat e sotme.

Për t’u theksuar në provat e sotme zyrtare aksidenti i pilotit të HAAS, danezit Kevin Magnussen, që përplasi makinën e tij në “murin e kampionëve” në fundin e sesionit të dytë. Kjo bëri që sesioni i tretë të nisë pas 25 minutash pushim. Për Vettel ky është “pole” i dytë radhazi në Kanada, pas atij të një viti më parë dhe i pari sezonal.