Veturat u kthyen nga Portugalia, FASK e kënaqur me kurorëzimin e gjithë aktivitetit

Sporte të tjera 20 Tetor 2021 19:56

Pjesëmarrja e automobilistëve të Kosovës në FIA Hill Climb Masters në Braga të Portugalisë ishte sfidë serioze jo vetëm për shkak të konkurrencës së madhe, por edhe për shkak të vështirësive në transportin e veturave, të cilat tek sot janë kthyer nga atje.

Kapiteni i skuadrës, Ismet Rexhepi, falënderon Doganën e Kosovës për kontributin e dhënë në këtë drejtim. “Duke marrë parasysh se Ministria e Infrastrukturës nuk është pjesë e organizatës ndërkombëtare, e cila i pajis veturat sportive me libreza të veçanta, për ne ishte sfidë mjaft serioze transporti i veturave deri në Portugali dhe anasjelltas. Me këtë rast e falënderojmë Doganën e Kosovës, e cila ishte mjaft fleksibile dhe na ndihmoi shumë që nga vendimi për të marrë pjesë në garë e deri sot kur veturat u kthyen në Kosovë”, ka thënë Rexhepi.

Ai i ka falënderuar edhe sponsorët, “Eurogoma”, “Exfis”, “Ujë Rugove” dhe Ministrinë e Sportit, të cilët ndihmuan skuadrën tonë për pjesëmarrje në këtë garë prestigjioze.

Rexhepi është shprehur i kënaqur edhe me paraqitjen e garuesve tanë në Braga. “Të gjithë e kanë dhënë maksimumin. Liridon Kalenderi pati paraqitje shumë të mirë (u rendit në pozitën e dytë), por edhe të tjerët e arsyetuan plotësisht pjesëmarrjen, ndërsa e veçantë për ne ishte edhe fakti që garuan edhe dy femra, Arjeta Rysha e Mimoza Jetullahu. Krahasuar me veturat e garuesve nga vendet tjera, garueset tona kishin vetura modeste, por edhe përkundër kësaj u paraqitën mjaft mirë”, ka theksuar Rexhepi.

Në fund, ai ka shtuar se Kosova edhe në të ardhmen do të marrë pjesë në gara të tilla, kudo që organizohen ato.

-->