Vieri tregon kush e fiton kampionatin e ardhshëm në Itali

Futboll 12 Qershor 2019 21:06

Christian Vieri, ish-sulmuesi i Interit dhe Juventusit, ka komentuar momentin e ish-skuadrave të tij me rastin e një evenimenti të zhvilluar në Firencë, shkruan Telesport.al.

INTER DHE JUVE – “Gaboni nëse mendoni se Inter  do të ndalojë Juventusin. Bardhezinjtë janë shumë më përpara dhe zikaltrit duhet të mendojnë që të kualifikohen në Champions. Lojtarët nuk duhen vënë nën presion duke folur për titullin”.

“Conte është një trajner i madh. Jam mik i tij, por edhe i Spallettit, dhe më ka ardhur keq për largimin e tij. Ka bërë një punë të mirë dhe e di se çfarë njeriu është, por duhet të shohim gjithmonë përpara”.

ICARDI – “Nuk di asgjë për të ardhmen e argjentinasit, lexoj vetëm gazetat. Të shohim se çfarë do të bëjnë. Gjithsesi, ai nuk mund të vihet në diskutim, është një finalizues i madh. Lukaku? Është shumë i fortë, një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë”.

JUVENTUS – “Skuadra është shumë e fortë. Sarri do t’i japë lojën e tij, për këtë arsye u ndryshua trajneri. Bardhezinjtë duan të dominojnë edhe në Evropë, do të duhet kohë, por loja do të vijë. Mbetet fakti se Inter, Milan, Roma dhe Napoli nuk mund ta fitojnë titullin “.