Viti i ri, i njëjti Etrit Berisha – zgjidhet në formacionin e javës në Serie A

Futboll 07 Janar 2020 15:04

Etrit Berisha ka dhuruar një performancë të shkëlqyer ditën e djeshme, kur skuadra e tij Spali u mposht me rezultatin 2-0 nga Verona.

Pavarësisht pësimit të golave, Berisha ishte lojtari më i mirë në fushë, teksa bëri disa pritje me të vërtetë të shkëlqyera, duke i mohuar disa herë golin kundërshtarit, me topa të cilët dukeshin të sigurtë që do të shkonin në portë.

Portali i njohur italian “Tuttomercatoweb”, e ka zgjedhur Berishën si lojtarin më të mirë të ndeshjes, duke e përfshirë edhe në formacionin më të mirë të javës në Serie A.

Së bashku me gardianin kuqezi, në formacionin e javës është edhe Amir Rrahmani, i cili është një siguri në mbrojtjen e Veronës, dhe përpiqet disa herë të shënojë.

Edhe dje shtatlarti kosovar kishte disa raste shënimi, por ishte pikërisht Berisha që bëri heroin duke ia ndalur gjuajtjet.

Të dy shqiptarët janë përzgjedhur në formacionin e javës, teksa vendosen përkrah emrave të mëdhenj si Ronaldo e Lukaku, të cilët gjithashtu shkëlqyen në javën që lamë pas.

-->