Vjen vendimi zyrtar, anulohen edhe tre gara të tjera nga kalendari i këtij sezoni

Formula 1 24 Korrik 2020 18:40

Garat në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Brazil fshihen përfundimisht nga kalendari i sivjetshëm i Formulës 1. Të pasionuarit e këtij sporti do të privohen në këtë mënyrë nga tre gara vërtet shumë të dashura, që anulohen nga programi i këtij edicioni jubilar, që përkon me vitin e 70 të kampionatit botëror të Formulës 1.

Drejtuesit e këtij sporti hoqën dorë kështu nga tre Çmime të Mëdha jashtë Kontinentit të Vjetër, më saktë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Brazil, për shkak të situatës së pandemisë së koronavirusit përtej Atlantikut. Këto tre vende përfaqësojnë disa nga shtetet më të prekur në glob nga virusi COVID-19. Në Shtetet e Bashkuara numri i të infektuarve ka shkuar në 4.17 milionë, pra afërsisht 1,3% e popullsisë është prekur nga pandemia e koronavirusit. 69.000 vetë të prekur rezultuan në Shtetet e Bashkuara vetëm ditën e enjte, ndërkohë numri i viktimave në këtë vend ka shkuar në 147.000.

Sakaq në Amerikën e Jugut në Brazil janë infektuar 2.29 milionë banorë, pra diçka më shumë se 1% e popullsisë, prej të cilëve 84.000 raste kanë rezultuar fatale. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Brazili janë me diferencë dy vendet më të prekur në rruzull, situata është shumë më e ndryshme në Meksikë, shtet që pozicionohet në vendin e gjashtë për nga numri i personave të infektuar. Duke patur parasysh kalendarin e 21 garave të edicionit të kaluar, me përjashtim të Rusisë këto tre vende përfaqësojnë pikërisht shtetet më të prekur, përsa i përket vendeve që merren me organizimin e garave të Formulës 1, prandaj edhe krerët më të lartë të këtij sporti deklaruan se do të ishte një veprim krejtësisht i papërgjegjshëm nëse do të vendosej që këto tre gara të zhvilloheshin rregullisht sipas kalendarit paraprak, të përcaktuar në fillim të sezonit.

Këto gara pritet që të zëvendësohen me tre gara të tjera në Kontinentin Evropian. Në këtë mënyrë do të rikthehen garat në pistën e Nurburgring-ut në Gjermani si dhe në Imola në Itali, ndërkohë do të bëjë debutimin në kampionatin botëror të Formulës 1 cirkuiti i Portimao-s në Portugali. Çmimet e Mëdha në Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil sezonin e kaluar u zhvilluan radhazi në pjesën përmbyllëse të sezonit, më saktë pikërisht përpara garës së fundit që u organizua në Abu Dhabi, për garën e përvitshme që mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këtë vit këto tre gara ishin në listën e pritjes, por sidoqoftë në radhë Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara ishte programuar për t’u mbajtur në Austin në Teksas më datë 25 tetor, ndërsa Çmimi i Madh i Meksikës ishte parashikuar për t’u zhvilluar vetëm një javë më vonë, në Autodromin Vëllezërit Rodrigez, cirkuit në Mexico City që quhet në këtë mënyrë për nder të vëllezërve meksikanë Ricardo dhe Pedro Rodriguez që kanë humbur jetën gjysmë shekulli më parë, nëpër gara të ndryshme, ndërkaq Çmimi i madh i Brazilit ishte menduar për t’u organizuar në Sao Paolo, në pistën e Interlagos-it më datë 15 nëntor.

Me shtimin e rasteve dhe përhapjen e virusit COVID-19 në këtë pjesë të planetit, drejtuesit e këtij sporti preferuan në këtë mënyrë për të mos rrezikuar, duke i anuluar fare këto tre gare. Krerët drejtues hoqën çdo shpresë gjithashtu edhe për organizatorët e Çmimit të Madh të Kanadasë, garë që fillimisht ishte programuar për t’u mbajtur më datë 14 qershor në cirkuitin “Gilles Villeneuve” në Montreal. Gara në Quebec ishte shtyrë që në muajin prill, megjithatë tani është e kuptueshme që Çmimi i Madh i Kanadasë do të kthehet në kalendar vetëm në vitin 2021.

Për hir të së vërtetës Kanadaja e ka përballuar mirë situatën e pandemisë së koronavirusit dhe ky vend pozicionohet në vendin e 21, për nga numri i rasteve të infektuar, por qeveria në këtë shtet ka vendosur rregulla shumë të forta si dhe masa shtrënguese për të gjithë ata që ndërmarrin udhëtime. Për herë të fundit në Nurburgring është garuar në vitin 2013, gjithsesi Çmimi i Madh në këtë pjesë të Gjermanisë është programuar për t’u mbajtur sivjet më datë 11 tetor, periudhë e vitit kur moti është tepër i ndryshueshëm dhe problematik në këtë zonë, që ndodhet shumë pranë pjesës malore Eifel, ku dëbora shpesh herë fillon të bjerë që në muajt e verës, transmeton SuperSporti.al

Në kalendar është përcaktuar që gara e Portimao-s në Algarve të zhvillohet më datë 25 tetor, ndërsa në Imola gara e Çmimit të Madh do të mbahet më datë 1 nëntor. Imola ka pritur për shumë vjet etapa të Formulës 1 dhe që nga viti 1980 në Itali zëvendësoi garën e Monza-s, pa harruar edhe statusin e veçantë që kishte për periudhën nga 1981 – 2006 si garë e Cmimit të Madh të San Marinos, sidoqoftë garë famëkeqe që do të mbahet mend për faktin se në këtë pistë në vitin 1994 humbën jetën njëri pas tjetrit brenda asaj fundjave austriaku Roland Ratzenberger si dhe një ndër pilotët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, piloti legjendar brazilian Ayrton Senna.

Për momentin nuk ka ende një kalendar përfundimtar në edicionin e sivjetshëm dhe numri provizor i garave, duke shtuar edhe Nurbrugringun, Imolën dhe Portimaon shkon në 13, gjithsesi përveç 13 garave në Kontinentin e Vjetër pritet të shtohen edhe dy garat e Gjirit Persik në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajt nëntor – dhjetor, megjithëse drejtuesit e Formulës 1 po mendojnë gjithashtu edhe për një ose dy gara të tjera në Azi, në gjysmën e parë të muajit nëntor.

Njëra prej tyre mund të jetë gara debutuese e Çmimit të Madh të Vietnamit, në rrugët e Hanoit që është edhe kryeqyteti i vendit, megjithatë është pothuajse e sigurt që gara tjetër do të mbahet në Sepang, për Çmimin e Madh të Malajzisë, që ka qenë një ndër etapat më të rëndësishme të kalendarit për periudhën nga 1999 deri në vitin 2017.

-->