Vushtrria fitoi derbin dramatik në sallën e mbushur me shikues

Superliga 29 Shkurt 2020 21:49

E mbushur me shikues ishte palestra “Jeton Tërstena – Tota” për derbin e Superligës së Kosovës në hendboll (femrat) në mes të Vushtrrisë dhe Istogut.

Shikuesit kanë mundur të shohin një lojë të fortë e dramatike, ndërsa në fund edhe kanë festuar fitoren e skuadrës vendase.

Vushtrria fitoi me rezultatin e ngushtë, 21:20, për të bërë edhe më të fortë garën për titull të kampionit të Kosovës.

Pas pjesës së parë rezultati ishte 11:10 për Istogun.

Vushtrria krijoi epërsi 5:1 në fillim të ndeshjes, por istogaset u kthyen në lojë. Vetëm në fund të pjesës së parë Istogu kaloi në epërsi 11:10, pasi vushtrriaset ishin vazhdimisht në epërsi.

Në pjesën e dytë Istogu krijoi epërsi deri në tri gola, ndërsa Vushtrria kaloi në avantazh në minutën e 47-të. Epërsia e Vushtrrisë më pas shkoi deri në tri gola (20:17), ndërsa Istogu u afrua në 20:19. Vushtrria shënoi për 21:19, kurse në fund shënoi Istogu për 21:20.

B. Rama realizoi plot 13 gola për Vushtrrinë. Te Istogu më efikasja ishte A. Rugova me 6 gola.

Istogu ka rënë në pozitën e dytë me 20 pikë. Ferizaj tani është i pari me 22 pikë. Vushtrria është e treta me 18 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur.

 

-->