Vushtrria vatër e re e “Covid19”, klubet e Superligës të shqetësuara

Superliga e Kosovës fundjavën që shkoi rifilloi pas një pauze të gjatë për shkak të pandemisë “Covid19”. Gjatë pauzës ishte diskutuar mjaft shumë për fatin e kampionatit por me përmirësimin e situatës në vend, Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë vendosën që kampionati të vazhdojë. Vendimi ishte marrë që futbolli të rikthehej por pa i testuar futbollistët dhe testimi të bëhej në një fazë të më vonshme.
Arbnor Luta
Megjithatë, gjërat ndryshuan kur futbollisti shqiptar i KF Dritës, Izair Emini rezultoi pozitiv me koronavirus. Emini gjatë pauzës ishte në Maqedoninë e Veriut dhe rrjedhimisht për t’u kthyer në vendin tonë duhej të testohej për koronavirus së bashku me trajnerin Ardian Nuhiu dhe bashkëlojtarët e tij që ishin jashtë Kosovës.
Rasti i Eminit alarmoi Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe FFK-në, duke vendosur që të gjitha klubet të testohen para rifillimit.
Të gjitha klubet për fat të mirë nuk kanë pasur ndonjë rast me koronavirus.
Mirëpo, me lirmin e masave në vendin tonë situata me koronavirus ka ndryshuar, duke pasur rritje të numrit të infektuarve.
Qyteti që është shndërruar në vatrën e koronavirusit është Vushtrria, qytet që ka një klub në elitën e futbollit tonë. Kjo situatë ka shqetësuar shumë klube të Superligës, pasi rreziku potencial për t’u infektuar ekziston.
Insportin ka kontaktuar me presidentin e KF Vushtrrisë, Bajrush Kajtazin, i cili ka deklaruar se ndihen të rrezikuar edhe pse klubi i tij është duke i respektuar të gjitha udhëzimet nga FFK. “Ne si klub jemi duke i respektuar të gjitha udhëzimet e marra nga FFK, por jemi tejet të shqetësuar pasi ndihemi të rrezikuar. Unë jam shumë i rezervuar, kemi një dozë të madhe të pa sigurisë. Futbollistët dhe stafi munden t’i respektojnë masat, por nuk mund të garantojmë për rrethin e tyre familjar apo shoqëror. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me futbollistët por po shpresojmë të mos kemi ndonjë rast në klubin tonë”.

I shqetësuar me situatën në qytetin e Vushtrrisë, është edhe drejtori sportiv i KF Dritës, Valon Zymberi.
Zymberi për Insportin ka deklaruar se që nga fillimi është ditur se klubet e Superligës nuk kanë kushte për karantinim për një ditë, e aq më pak për një muaj. Ai po ashtu deklaroi se në klubin e tij janë duke qëndruar në “panik” pasi rreziku potencial për t’u infektuar është edhe më i madh. “Po jemi të shqetësuar, pasi për momentin qyteti i Vushtrrisë është shndërruar në vatrën e koronavirusit. Shqetësim i madh për ne është bërë që nga liria e lëvizjes, askush nuk është në karantinë dhe potencialisht të gjithë jemi në rrezik për t’u infektuar. Ne e kemi theksuar disa herë, që asnjë klub në Kosovë nuk mundet të bëj një protokoll strikt për të respektuar masat, nuk kemi kushte për një ditë të bëjmë karantinën, e lërë më për një muaj, kjo është ditur që nga fillimi”.
Tutje, Zymberi shtoi se nëse nuk ka testime tjera, atëherë kampionati mund të rrezikohet. “Ne si klub kemi pasur një rast dhe duke ditur se më nuk do të testohemi, jemi të frikësuar rreth mundësisë së infektimit, pasi mund ta kuptojmë vetëm kur futbollisti apo dikush nga stafi të shtrihet në spital. Shpresoj që të mos ketë më raste, pasi as nuk mundemi ta përfundojmë kampionatin e as ta vazhdojmë me junior”.

Insporti ka kontaktuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
Salihu deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm më doktorin e klubit të Vushtrrisë, për të parë së a janë duke u respektuar udhëzimet.
I pyetur se a rrezikohet kampionati, ai për Insportin theksoi se do varet nga Ministria e Shëndetësisë.“Testimet janë bërë, fal Zotit të gjitha rezultatet negative. Ne jemi në kontakt me klubin e Vushtrrisë dhe me doktorin e tyre, me të cilin jemi dakorduar që ai të jetë sa më rigoroz në respektimin e masave. Në rast se kemi rritje enorme të rasteve me koronavirus, atëherë fati i kampionatit do mbetet në “duart” e Ministrisë së Shëndetësisë”.

Në qytetin e Vushtrrisë ditëve të fundit janë paraqitur rreth 100 raste me koronavirus.
Vlen të theksojmë se presidenti i klubit Prishtina, Remzi Ejupi ka dhuruar si donacion 12 mijë teste për IKSHP, të cilat mund të përdoren edhe për testimin e klubeve.
KF Vushtrria ndeshjen e parë e zhvilloi në udhëtim ndaj KF Feronikelit duke pësuar humbje me rezultat 3:1. Ndeshjen e radhës do ta zhvillojë si vendëse kundër KF Prishtinës në kuadër të xhiros së 24-të së Superligës.
Ish kampioni i Kosovës rrezikon statusin e klubit elitar, pasi renditet në pozitën e 11-të me 16 pikë. /Insporti.com/
