Warriors shkatërrojnë Pacers, fitojnë edhe Celtics e Nuggets

Basketboll 29 Janar 2019 09:45

Skuadra kampione e Golden State ka marshuar drejt kreut të renditjes në Konferencën e Perëndimit, pas fitores 132-100 në fushën e Indiana Pacers, fitorja e 11-të radhazi në NBA.

Takim i dominuar nga basketbollistët e Warriors, që u shkëputën që në fillim, sfidë ku u dalluan Curry me 26 pikë e Cousins me 22.

Të njëjtin ritëm ruan edhe Denver Nuggets, ndjekësi më i afërti i Golden State, që mundi 95-92 Memphis Grizzlies në fushën e këtyre të fundit.

Miqtë e dominuan ndeshjen, por në fund rrezikuan shumë. Jokic realizoi 24 pikë e Barton 20. Për vendasit u dalluan Gasol me 28 pikë e Conley me 23 pikë e 11 asist, por që mbetën për statistikë.

Fitore shënoi edhe skuadra e Boston Celtics, që mundi pa shumë mund 112-104 Brooklyn, sfidë që ngjit ekipin e Celtics në vendin e pestë në Lindje.

Smart dhe Brown realizuan nga 21 pikë secili për Boston, duke i bërë të pavlefshme 25 pikët e Russell për Brooklyn.

Në ndeshjet e tjera të luajtura sot, skuadra e Atlantës befasoi Clippers, duke triumfuar 123-118 në Los Angeles.

Young realizoi 26 pikë, Collins 22, duke fituar duelin me Harris, që shënoi 30 pikë për kalifornianët.

Skuadra e Charlotte, falë një loje të mirë kolektive (6 lojtarë realizuan mbi 10 pikë), fitoi 101-92 ndaj New York.

NBA – Rezultatet e sotme

Charlotte – New York, 101-92

Indiana – Golden State, 100-132

Boston – Brooklyn, 112-104

Memphis – Denver, 92-95

Clippers – Atlanta, 118-123