Wenger me 11-shën më të mirë kundër Ostersunds

Futboll 15 Shkurt 2018 14:47

Trajneri i Arsenal, Arsene Wenger zhvillon ndeshjen e parë të fazës së 1/16 në Europa League dhe ka përzgjedhur formacionin më të mirë për këtë takim, të cilin “Topçinjtë” e zhvillojnë në udhëtim kundër ekipit suedez Ostersunds.

Përkundër që do të jetë pa sulmuesin Alexandre Lacazette, i cili u lëndua të hënën dhe do të jetë jashtë fushe për gjashtë javë, Wenger do të futet në këtë përballje me lojtarët e tij kryesor.

Sulmin pritet ta udhëheq Danny Welbeck, për shkak se Aubameyang nuk ka të drejtë të paraqitet në Europa League me “Topçinjtë”, derisa edhe Mesut Ozil do të jetë në formacionin bazë. Ndihmë të madhe londinezëve, pritet ti jap edhe Henrihk Mkhitaryan i cili edicionin e kaluar kishte shënuar në finale të kësaj gare, kur Manchester United mposhti holandezët e Ajax me rezultatin 2-0 dhe armeni kishte shënuar golin e dytë për “Djajtë e Kuq”.

Arsene Wenger është nën presion, pas disa rezultateve negative në disa ndeshje të fundit, ku në Premier League është jashtë zonës së garave të UEFA-s. Francezi pritet që këtë verë ose të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me ekipin nga Londra, apo drejtuesit e Arsenal do të kumtojnë se sezoni tjetër mund të jetë i fundit i “Profesorit”, pasi kontrata e tij skadon më 2020. /Insporti.com

-->