Wengeri befason me fjalët për Xhakën, që iu hoq shiriti i kapitenit

Futboll 07 Nëntor 2019 10:49

Arsene Wenger ka treguar mbështetje për Granit Xhakën, pasi trajneri Unai Emery këtë javë i hoqi atij shiritin e kapitenit.

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, aktualisht në rolin e analistit, ka folur për situatën e Xhakës, transmeton Insporti

Tekniku francez ka terguar mbështetje për Xhakën, i cili nuk është paraqitur më për klubin që prej incidentit që pati me tifozët, në ndeshjen me Crystal Palace.

Wenger ka thënë se Xhaka është një futbollist “inteligjent”, dhe e kupton se pse mesfushori shpërtheu ndaj tifozëve në atë mënyrë.

“Nuk flas shumë për Arsenalin, thjesht i mbështes”, tha Wengeri për beIN Sports.

“Jam tifoz që dëshiron që ekipi të fitoj, kjo është e gjitha. Për mua është e vështirë të kem ndonjë vlerësim për Arsenalin sepse menjëherë do të interpretohet që kam qenë te klubi për një kohë të gjatë. Andaj jam thjesht tifoz, kur nuk fitojnë s’jam i lumtur, por jam shumë i lumtur kur fitojnë”, tha ai.

I pyetur për situatën e Xhakës me tifozët, Wenger tha: “Si trajner ju duhet që të përballeni me këso vendime.”

“Ne gjithmonë përballemi me të papriturat si trajnerë, duhet të merrni vendime të shpejta. Mendoj se klubi i Arsenalit respektohet në gjithë botën sepse është ndërtuar në vlera dhe çdokush duhet të respektojë këto vlera”, tha ai, përcjell Insporti

Kur u pyet se a është dashur që Xhaka të sillej në atë mënyrë, Wengeri tha:

“Ka njerëzë që kanë shumë pasion, me presionin që kanë, me zhgënjimin që bartin, nganjëherë ata kanë reagime që nuk i dëshironi. Mendoj se Xhaka është një lojtar inteligjent, ndryshe nga ajo se çka kam dëgjuar kohëve të fundit. Ai në fund kërkoi falje dhe mendoj se kjo është ajo çka trajneri ka dashur nga ai”.

I pyetur nëse Xhaka kishte cilësi prej kapiteni, Wengeri tha se ai ishte kapiten edhe te Borussia Monchengladbach.

“Ai ishte kapiten te Monchengladbachu. Nuk mendoj se ishte kapiten me mua, ndoshta varet, në ndeshjet e Europa League apo Kupës së Ligës, por nuk e di”, përfundoi trajneri francez.

Wenger, 70-vjeçar, kohëve të fundit është përfolur si trajner i mundshëm i Bayern Munichut, pasi këta të fundit e shkarkuan Niko Kovacin. /Insporti.com/

-->