Wengeri ‘tradhton’ Arsenalin – ëndërron të bëhet trajner i Manchester Unitedit

Futboll 26 Shtator 2019 12:26

Arsene Wenger ka deklaruar se është i gatshëm të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, derisa ka theksuar se ajo është një punë që secili trajner e ëndërron.

Trajneri aktual i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer është duke pasur vështirësi që të menaxhojë skuadrën duke mos marrë rezultatet e dëshiruara.

Nga gjashtë ndeshje të zhvilluara Unitedi ka grumbulluar vetëm tetë pikë, gjë që i ka rritur presionin trajnerit norvegjez.

“Manchester United është ëndërr për çdo trajner. Të paktën, për çdo trajner që ka guxim dhe vetëbesim. Sipas mendimit tim, [Unitedi] ka nevojë për katër lojtarë të formacionit të parë. Por, përveç atyre lojtarëve, unë e shoh një skuadër që është në gjendje të sfidojë për tituj. Nuk janë aq larg sa njerëzit mendojnë”, ka thënë Wenger.

“Ky ekip nuk ka strukturë të lojës, model sesi të bëjë presion. Unitedi e ka një ekip, i cili duhet të trajnohet dhe zhvillohet. Siç kam thënë, i duhen vetëm katër lojtarë për të sfiduar”, shtoi ai.

I pyetur nëse është i interesuar në punën e Solskjaer, Wenger tha: “Siç thashë, Manchester Unitedi është ëndërr për çdo trajner. Unë kam vetëbesim dhe guxim… dhe keni të drejtë, unë kam edhe ide”, ka deklaruar Wenger për beIN SPORTS, për mundësinë e menaxhimit të Unitedit.

Kujtojmë se francezi 69-vjeçar ishte për 22 vite trajner i Arsenalit [1996 – 2018], derisa në kohën sa ishte trajner, Manchester Unitedi ishte rivali më i madh i Arsenalit, për pjesën më të madhe të periudhës së tij te klubi.