West Ham – Arsenal, “katastrofë” kjo që i ka ndodhur Xhakës

Futboll 12 Janar 2019 16:19

Arsenali ka pësuar një tjetër humbje shokuese në Premierligë, në garën për një vend në top 4-she.

Skuadra e Unai Emery e ka pësuar humbjen e pestë në 22 xhiro, pasi u mund nga ekipi tjetër londinez, West Hami.

Goli i Declan Rice i mjaftoi West Hamit për ta mundur Arsenalin me rezultat minimal në “London Stadium”, derisa tani ‘Topçinjve’ iu rrezikohet edhe vendi i pestë (Unitedi i vendit të 6-të ka vetëm tri pikë më pak).

Lojtari me paraqitjen më të dobët te Arsenali në këtë ndeshje, sipas faqes së statistikave Sofascore – ishte mesfushori Granit Xhaka me notën 5.9, raporton Insporti


Nota e Granit Xhakës nga ndeshja me West Ham

Ishte pikërisht Xhaka ai i cili gaboi te goli i Rice, pasi nuk arriti që ta largojë topin siç duhet nga zona e rrezikshme.

Gabimi i Xhakës pas goditjes së topit me kokë, solli deri te goli i epërsisë për ‘Çekanët’, që e fituan këtë përballje.

Por, ‘telashet’ për Granit Xhakën nuk mbarojnë me kaq. Përveç notës më të ulët në këtë ndeshje, Xhaka ka thyer edhe një ‘rekord’ negativ.

Ai tani është futbollisti që ka bërë më së shumti gabime që kanë çuar te golat në Premierligë, që nga sezoni i kaluar.

Që nga ajo kohë, 26-vjeçari i ka bërë gjithsej 5 gabime vendimtare që kanë rezultuar në gol të ekipit kundërshtar, më shumë se cilido lojtar tjetër në kampionat. /Insporti.com