Wilder “gozhdon” Furyn para rimeçit

Boks 13 Shkurt 2020 17:01

Deontay Wilder beson se Tyson Fury është i frikësuar dhe se do të ketë net pa gjumë para rimeçit të tyre për titull bote në peshën e rëndë në boks, më vonë këtë muaj.

“Kur rrëzohesh nga një boksier, atëherë kurrë nuk e harron atë dhe nuk e harron se si e bëri”, ka thënë Wilder 34-vjeçar.

Duke folur në konferencën për media në SHBA, amerikani ka shtuar:

“Thellë e ndiej se ai është nervoz, shumë nervoz se çfarë ndodhi herën e parë. Kur futesh në ring për herë të dytë, atëherë duhet të jetë stresuese dhe definitivisht nuk mund të bësh gjumë natën. Ai është i shqetësuar dhe nuk ma merr mendja se besimi i tij është aq i madh, për shkak të gjendjes në të cilën e lash më herët. I shkaktova tronditje në kokë këtij njeriu dhe do të ndodhë sërish, pasi koka nuk është e shkruar të goditet, veçanërisht nga fuqia e Deontay Wilderit, kështu që ai ka shumë gjëra për të menduar”.

Wilder do të përballet me Furyn në Las Vegas më 22 shkurt, për titullin WBC, që është në pronë të Wilderit.

Përballja e parë mes tyre në dhjetor të vitit 2018 përfundoi me një barazim kontrovers, ku amerikani e rrëzoi Furyn dy herë, ndonëse Fury ishte dominues në pjesën më të madhe të luftës. Fury vlerësoi se ai ishte fitues, siç vlerësuan edhe shumë të tjerë.

-->