Wilderi i dërgon mesazh Furyt, sulmon keq Joshuan

Boks 06 Nëntor 2018 11:06

Deontay Wilder thotë se është “transformuar në një vrasës” para përballjes me boksierin Tyson Fury për titull bote.

Wilder dhe Fury përballen më 1 dhjetor, në atë që është kthimi i Furyt në rrugën drejt titullit, që kur i la titujt WBA dhe WBO për t’u fokusuar për trajtim nga depresioni.

Kampioni i botës në WBC, Wilder, që ka seri fitoresh 40:0, ka thënë po ashtu se Anthony Joshua është një frikacak.

“Po ndihem për mrekulli. Mentaliteti dhe trupi im kanë ndryshuar”, ka thënë amerikani, raporton BBC.

Në qershor, një përballje e mundshme me Joshuan ishte shtyrë për shkak se britaniku ishte urdhëruar të luftonte me Alexander Povetkinin.

Pasi e mposhtu rusin, Joshua tha se Wilder është zgjedhja e tij e parë për meçin e ardhshëm në prill të vitit të ardhshëm në Wembley.

Duke folur për këtë, Wilder ka thënë se nuk dëshiron të pyetet më për Joshuan. “Ai ishte një frikacak dhe ashtu është”, ka deklaruar Wilder.

“Nuk kam asnjë mesazh për të, është gjithçka për Tyson Furyn. Ndihem si një vrasës. Jam transformuar në një vrasës”, ka thënë ai.