Williams – Halep, finalja e Wimbledonit

Tenis 11 Korrik 2019 19:45

Simona Halep ka shkatërruar ukrainasen Elina Svitolina 6-1 6-3 dhe është kualifikuar për në finalen e turneut të Wimbledonit. Një paraqitje perfekte për 27-vjeçaren rumune, numri 7 i renditjes botërore para fillimit të turneut dhe njëkohësisht tenistja e parë rumune që arrin në finale të Wimbledonit.

Një gjysmëfinale që pritej me interesim të madh, sepse 24-vjeçarja ukrainase Svitolina ka pasur një ecuri mbresëlënëse këtë vit, por sot  realisht ishte një sfidë zhgënjyese dhe u vërtetua ajo që thuhej me gjysmë zëri: Svitolina pati edhe avantazhin e shortit për të shkuar në gjysmëfinale, sepse në rrugën e vet hasi emra si Gavrilova, Gasparyan, Sakkari, Martic e Muchova, asnjë prej tyre mes 20 më të mirave në botë.

Ndërsa, në gjysmëfinalen tjetër, legjenda e tenisit botëror në konkurrencën e femrave, Serena Williams ka fituar me lehtësi (6:1 e 6:2) ndaj tenistes çeke Barbora Strycova.

Williams edhe në finale llogaritet favorite, por gjithsesi pritet të jetë një përballje e fortë ndërmjet saj dhe rumunes Halep.