Williams nuk ia del në finale, mposhtet nga 19 vjeçarja

Tenis 08 Shtator 2019 11:41

Serena Williams nuk po arrin dot të thyejë tersin që ka më shumë se një vit që e ka “pushtuar”. Tenistja amerikane u mund sot 2-0 (6-3, 7-5) nga ajo kanadeze Bianca Andreesscu në finalen e US Open, ashtu sikurse edhe një vit më parë.

Ky është suksesi i parë i madh i tenistes 19-vjeçare në një grand slam, në finalen e saj të parë në një turne të tillë. Andreescu mposhti një ikonë të këtij sporti, Serena Williams, e ndalur në kuotën 23 grand slam të fituara.

Për Serena kjo është finalja e katërt radhazi e humbur në një grand slam, që kur u rikthye në fushë pas lindjes së vajzës së saj, dy vite më parë. Duket se ajo nuk arrin të përballojë më emocionet e një takimi të tillë edhe pse një veterane (38vjeçe).

Gjithsesi, finalja e luajtur sot në Nju Jork u dominua nga tenistja kanadeze, një yll i ri në këtë sport. Ajo e fitoi me lehtësi 6-3 setin e parë. Dhe dominon në të dytin,ku udhëheqi 5-1. Vetëm në këtë moment reagon Williams, që barazon shifrat në 5-5.

Vetëm kaq! Shumë pak, pasi Andreescu “zgjohet” dhe fiton 7-5, duke mos i besuar syve për këtë triumf të madh edhe pse në shtëpinë e rivales. /telesport.al/