Xhaka kërkohet nga pesë skuadra

Futboll 01 Qershor 2021 09:30

Granit Xhaka do të largohet këtë verë nga Arsenali pas pesë viteve qëndrim në Londër.

Mesfushori nga Kosova ka pasur një vit shumë të mirë personal, por jo edhe ekipor pasi Arsenali ka mbetur jashtë garave evropiane.

Xhaka dëshiron të ndërrojë mjedis dhe ofertat në drejtim të tij nuk janë duke munguar.

Arsenali i ka vendosur çmimin e largimit mesfushorit nga Prishtina, ku londinezët për ta lënë të lirë duan 25 milionë euro.

Gjiganti italian Roma duket skuadra favorite për të nënshkruar me të, me trajnerin Jose Mourinho që e pëlqen shumë mesfushorin.

Por nuk përjashtohet edhe rikthimi i Granitit në elitën e futbollit gjerman Bundesliga.

Ish-skuadra e tij Borussia Moenchegladbach po insiston për ta rikthyer në Borussia-Park, por në garë mbetet edhe klubi kryeqytetas Hertha Berlin që synon ta ndërtojë një skuadër të fuqishme për edicionin e ri.

Largimi i Xhakës nga ‘Emirates Stadium’ duket i sigurt në verë, por ende mbetet në pikëpyetje skuadra e tij e re.

Sipas mediave italiane, angleze e gjermane, Roma mbetet favorite, por Xhaka mund të befasojë të gjithë duke kërkuar rikthimin te Gladbach.

28-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 45 ndeshje në të gjitha garat për Arsenalin, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë dy asistime.

-->