Xhengis Rexhepi tregon arsyet e ndarjes me Llapin

Futboll 18 Maj 2019 16:21

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Xhengis Rexhepi është rrëfyer në një intervistë për Insportin.

Rexhepi për Insportin ka folur për fillimin e karrierës së tij si trajner, arritjet e tij në karrierë si dhe aventurën e tij tek skuadra e KF Llapit, me të cilën ndërpreu marrëdhëniet vetëm pas gjashtë xhirosh.

Ndihmës përzgjedhësi i kombëtares së Maqedonisë Veriore, deklaroi se drejtuesit e klubit kanë bërë disa shpifje në drejtim të tij, pas ndeshjes me KF Ballkani se kinse ai nuk ka intervenuar siç duhet tek skuadra.

“Pas çdo ndarje, trajnerët apo drejtuesit e klubit bëjnë shpifje të tillla. Për ndeshjen me Ballkanin, kam dëgjuar se nuk është intervenuar në atë lojë, edhe po të fitonim atë ndeshje ndarja do të ndodhte. Sepse unë e kisha parë situatën me të cilën jam me drejtuesit e klubit. Unë jam një trajner që nuk marr mësim dhe në Ballkan nuk ka kush që më jep mësim, jam një ndër trajnerët më të mirë dhe këtë e kam treguar vetën në shumë klube në Maqedoni,  duke e mbajtur postin tek kombëtarja e Maqedonisë dhe në Sivaspor”, ka thënë Rexhepi.

Tutje, ai në detaje ka sqaruar situatën pas ndeshjes me Ballkanin dhe si kishte vepruar në atë ndeshje.

“Në atë ndeshje, kemi qenë në disavantazh dhe në pjesën e parë kemi bërë një zëvendësim në mes të Valmir Veliut dhe Miran Maksutit, pastaj në minutën e 60-të kam larguar nga loja Behar Maliqin, pra rrezikun e parë si trajner e kam marr në minutën e 60-të, pastaj kemi shënuar nga penalltia. Në minutat e fundit kemi luajtur me sistemin 3-4-3, për shkak se më të vërtetë në atë ndeshje Ballkani është mbrojtur mirë dhe zonat kanë qenë shumë të ngushta. Pra, kur të bëhet një shpifje e tillë apo keqtrajtim ndaj trajnerit, duhet të kesh një bazë. Aty janë ndihmësat dhe futbollistët se i kam bërë të gjitha nga jashtë, edhe njëherë po e ceki mësim nuk marr, mund të jap”, përfundoi ai. /Insporti.com/

-->