Xhiro e fundit për sezonin vjeshtor në BKT Superligë fillon sot me tri ndeshje – vëmendja në Lipjan

Futboll 11 Dhjetor 2021 09:36

Vëmendja kryesore është tek dueli mes Llapit dhe Prishtinës që do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan nga ora 13:00.

Ndeshja në fjalë si fillim ishte planifikuar që të zhvillohet në Merdarë, por për shkak të kushteve të terrenit, Komisioni i Garave ka vendosur që dueli në fjalë të luhet në Lipjan.

Prishtina vjen pas një humbje minimale ndaj Dritës në shtëpi, gjersa llapjanët u ndalën me barazim nga skuadra e Dukagjinit në udhëtim.

Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytet në këtë edicion mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren e llapjanëve 2:1. Prishtina që tashmë drejtohet nga trajneri Abdulah Ibrakoviq, në atë takim është udhëhequr nga ish-trajneri Zekirija Ramadani.

Prishtina para këtij takimi ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë, kurse Llapi zë vendin e katërt me 26 sosh.

Dueli tjetër mjaft interesant pritet të jetë edhe ai mes Dritës dhe Ulpianës.

Drita i bën konak skuadrës nga Lipjani në stadiumin “Selami Osmani-BEZI” në Gjilan, duke filluar nga ora 13:00.

Drita vjen pas një fitore të madhe në udhëtim ndaj Prishtinës, teksa lipjanasit janë pa fitore në katër ndeshjet e fundit.

Gjilanasit pozicionohen në pozitën e tretë në kampionat me 31 pikë të mbledhura, një më pak se SC Gjilani, dhe dy më pak se lideri Ballkani, gjersa Ulpiana gjendet në pozitën e tetë me 18 pikë të mbledhura.

Dueli i tretë përmbyllës i kësaj të shtune është derbi lokal mes Feronikelit dhe Drenicës që do të zhvillohet në “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 13:00.

Drenica ka humbur secilën nga gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat, teksa Feronikeli janë në një ecuri edhe më dobët pasi në xhiron e fundit morën pikën e parë në superligë pas një ecurie prej tetë humbjeve radhazi.

Drenica pozicionohet në pozitën e gjashtë me 20 pikë të mbledhura, ndërkohë Feronikeli gjendet e fundit në tabelë me 11 pikë të mbledhura.

-->