Xhiroja e 12-të e Superligës hapet me derbin Drenica – Feronikeli

Futboll 26 Tetor 2019 09:58

Xhiroja e 12-të e IPKO Superligës së Kosovës do të hapet me derbin lokal në mes të Drenicës dhe Feronikelit, shkruan Insporti.com.

Superliga e Kosovës përkundër incidenteve të fundit do të vazhdojë së “prodhuar emocione”.

Drenica është nikoqir i skuadrës kampione në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Të dy skuadrat në xhiron e kaluar kanë shënuar fitore në ndeshjet e tyre.

Skuadra kuqezi e trajnerit Tahir Lushtakut mposhti Dukagjinin me rezultat 3:0 në “Bajram Aliu”. Ndërsa, “Nikli” fitoi në sekondat e fundit në udhëtim ndaj Vushtrrisë, skuadër e cila po është në formë të dobët.

Drenica këtë sezon në ndeshjet para shikuesve të vetë ka vetëm dy fitore, që të dy ndeshjet i ka fituar me rezultat 3:0 (Drenica 3:0 Llapi, Drenica 3:0 Dukagjini).

 

Kampioni aktual në udhëtim këtë sezon ka një formë të luhatshme duke arritur dy fitore, një humbje dhe një barazim.

Sfida e sotshme do të jetë tejet e rëndësishme për futbollistët e trajnerit malazezë, Dejan Vukicevic për të mbetur në hap me skuadrat e kreut të tabelës, pasi renditen në pozitën e gjashtë me 19 pikë. Ndërsa, Drenica renditet vetëm një pozitë më poshtë, në të shtatën me 14 pikë.

Ndeshja derbi fillon nga ora 14:00.

Sfida e dytë e Superligës që do të zhvillohet sot është në mes Vushtrrisë dhe Llapit.

Vushtrria është në krizë të rezultateve duke shtuar edhe  humbjen e fundit ndaj Feronikelit me rezultat 0:1. Ish kampioni i Kosovës është pa trajner, pasi kanë shkëputur kontratën me italianin, Antonio Toma. Skuadra ndaj Feronikelit e ka udhëhequr Fitim Llapashtica, i cili pritet që edhe sot të jetë në bankinën e vushtrriasve.

Vushtrria do ta ketë tejet të vështirë sot ndaj Llapit, përkundër që llapjanët kanë pësuar humbje xhiron e kaluar në derbin ndaj Gjilanit me rezultat 3:0.

 

Skuadra nga Vushtrria këtë sezon në “Ferki Aliu” ende nuk ka arritur fitore. Dy barazime dhe dy humbje është bilanci para shikueve vushtrrias.

Ndërsa, llapjanët në udhëtim këtë sezon janë mjaft të rrezikshëm, pasi kanë arritur tri fitore dhe dy barazime.

Fitoren më të thellë në udhëtim e kanë shënuar kundër Flamurtarit me rezultat 5:1.

Vushtrria renditet në pozitën e fundit me gjashtë pikë, ndërsa Llapi në të pestën me 20 pikë.

Ndeshja fillon nga ora 14:00. /Insporti.com/

-->