Xhiroja e 22’të me super derbi – Ylli e pret Trepçën

Superliga 11 Mars 2022 22:22

Xhiroja e 22-të e Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë disa ndeshje mjaft interesante, ndërsa derbi zhvillohet mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës.

Skuadra therandase ndodhet në vendin e parë me 16 fitore e katër humbje, kurse mitrovicasit janë vendin e dytë me 14 fitore e shtatë humbje. Ylli është kampion dhe lider në elitë, duke kërkuar titullin e dytë e radhazi, kurse mitrovicasit pasi fituan Kupën, duan trofeun e dytë për këtë edicion. Në tri përballjet e zhvilluara mes tyre në këtë edicion, dy herë fitoi skuadra nga Theranda, 91:68 dhe 62:84, ndërsa ‘Xehetarët’ fituan me shifrat 72:69.

Të shtunën Sigal Prishtina e pret Dritën, ku kryeqytetasit shihen si favoritë, pasi në këtë edicion kanë 10 fitore dhe 11 fitore, ndërsa gjilanasit kanë 21 humbje, në po aq ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme në elitë pa fitore.

Të dielën zhvillohet derbi i rivalëve të vjetër në elitën e basketbollit mes Bashkimit dhe Pejës. Prizrenasit kanë nëntë fitore e 12 humbje, ndërsa pejanët kanë 12 fitore e shtatë humbje, andaj pritet një sfidë shumë interesante, me të dy skuadrat që duan të arrijnë synimet në këtë edicion.

Përballja e fundit zhvillohet mes Rahovecit dhe Prizreni 16. Vreshtarët janë në formë të mirë dhe do të hyjnë vetëm për fitore. Rahovecasit kanë shtatë fitore e 13 humbje, duke u renditur në vendin e shtatë, kurse prizrenasit kanë 13 fitore e gjashtë humbje.

-->