Ylli i Arsenalit i del në mbrojtje Granit Xhakës

Futboll 28 Tetor 2019 14:10

Mbrojtësi i Arsenalit, Hector Bellerin, i ka ofruar mbështetje bashkëlojtarit të vet shqiptar, Granit Xhakës, përmes një letre përkrahëse, pas kritikave dhe abuzimeve që iu bën atij për shkak se i shau tifozët në barazimin e klubit londinez 2:2 kundër Crystal Palace të dielën në Emirates.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve.

Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë pusullën dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.

Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.

Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues, transmeton express.

Por Bellerin, i cili ishte rezervist në këtë ndeshje, i ka ofruar përkrahje shqiptarit.

“Të gjithë jemi njerëz, të gjithë kemi emocione dhe nganjëherë nuk është e lehtë t’i kontrollosh ato. Është koha ta bëjmë të lumtur njëri-tjetrin dhe t’ia shtojmë vetëbesimin, e jo ta hedhim poshtë. Ne mund të fitojmë vetëm atëherë kur jemi të bashkuar”, shkroi Bellerin.

-->