Ylli – Prishtina, sfida e së vërtetës

Basketboll 01 Tetor 2021 11:48

Pas takimit Trepça – Peja që përfundoi 83:66, java e katërt e Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll, do të vazhdojë në fundjavë me ndeshje shumë interesante.

Rahoveci dhe Bashkimi, që nuk e kanë nisur aq mbarë edicionin e ri me një fitore dhe dy humbje do të përballen të shtunën, një takim që pritet të jetë i barabartë, duke marrë parasysh formën e këtyre dy skuadrave në edicionin e ri.

Ndërkohë, Prizreni 16, që e fitoi Superkupën dhe në Superligë ka dy fitore dhe një humbje, do të përballet me RC Cola Dritën. Prizrenasit shihen favoritë, ndërsa gjilanasit kanë tri humbje në tri ndeshje, duke mos arritur të shënojnë fitore në elitë.

Takimi i fundit, por më interesanti shihet ndërmjet Yllit dhe Prishtinës. Therandasit edhe pse kanë bërë shumë përforcime, edicionin e ri në elitë e kanë nisur me tri humbje në tri ndeshje, ndërsa prishtinasit janë një skuadër në ndërtim e sipër dhe kjo do të jetë një sfidë e vërtetë për basketbollistët e rinj prishtinas.

Bardhekaltrit kanë dy fitore dhe një humbje.

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, lejohen 10 % e shikuesve në palestrat, ku zhvillohen ndeshjet e basketbollit, duke pasur certifikatën e vaksinimit, ose një nga tre dëshmitë alternative, testin PCR, serologjik ose testin rapid.

Java 4:

Trepça – Peja 83:66
E shtunë
17:15 Rahoveci – Bashkimi
19:00 Prizreni 16 – Drita
E diel
17:15 Ylli – Prishtina.

-->