Z Mobile Prishtina mposht bindshëm Yllin, fitojnë edhe Bashkimi e Rahoveci

Superliga 09 Dhjetor 2018 21:12

Z Mobile Prishtina ka regjistruar fitoren e radhës në Superligën e Kosovës në basketboll duke mposhtur Golden Eagle Yllin me rezultat 96-67.

Në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, vendasit ishin bindës në çerekun e parë të lojës (30:17).

Edhe në dhjetëminutëshin e dytë (28:19), bardhekaltrit e dominuan përballjen duke shkuar në pushim me rezultat 58-26. Pas kthimit nga pushimi, Ylli arriti t’u bënte ballë nikoqirëve në çerekun e tretë, në të cilën u shënuan pikë të barabarta (19:19).

Skuadra nga Suhareka e fitoi çerekun e fundit (19:22), por kjo nuk mjaftoi pasi epërsia e kryeqytetasve ishte shumë e lartë (96-67).

Kjo ishte fitorja e 11-të me radhë e Z Mobile Prishtinës nga po aq ndeshje të zhvilluar në këtë sezon në Superligë dhe qëndron pa u luhatur në krye të tabelës.

Nga ana tjetër, Golden Eagle Ylli pësoi humbjen e pestë, ndërsa ka arritur shtatë fitore dhe pozicionohet në vend të tretë në tabelë.

Në përballjen tjetër, skuadra e Bashkimit të Prizrenit i është kthyer fitores në Superligë, pas disfatës ndaj Prishtinës në xhiron e kaluar. Prizrenasit kanë kaluar lehtë Lipjanin duke i mposhtur ata si mysafirë 77-88.

Jordan Capps ka shënuar 28 pikë e 12 kërcime në fitoren e ekipit të Bashkimit, ndërsa 20 të tjera ka shtuar Ergin Grosha, që ka qenë ndër më të dalluarit në ndeshje.

Te Lipjani i drejtuar nga Gyltekin Selimi, Fisnik Juniku ka shënuar 29 pikë dërsa Musab Mala 26 të tjera, që nuk kanë mjaftuar për më tepër, pos zbutjes së epërsisë. Pas këtij dueli, Bashkimi ka bilanc 6-6 në Superligë, ndërsa Lipjani 2-10.

Në ndeshjen tjetër, KB Rahoveci triumfoi 73-66 në udhëtim te Ponte Prizreni.