Zaza sërish bëhet objekt talljeje – nuk vonoi hakmarrja (VIDEO)

Futboll 16 Gusht 2019 09:42

Sa herë që përmendet emri i Simone Zaza, padyshim në mendje të vjen penalltia e famshme e Euro 2016, vrapimi i stërzgjatur i sulmuesit italian teksa gabonte përballë Gjermanisë në çerekfinalet e turneut. Sigurisht, ai u vu në lojë nga thuajse të gjithë pas asaj penalltie të gjuajtur në mënyrë absurde e të humbur keq.

Mbrëmë, në ndeshjen e Ligës së Evropës, ka qenë radha e portierit të Shakhtor Soligorsk, Klimovic, që të vinte në lojë Zazan. Në pjesën e parë të ndeshjes, me rezultatin 0-0, portieri i bjellorusëve guxoi të driblonte dy herë sulmuesin italian, duke e shmangur me mjeshtëri dhe duke marrë duartrokitjet nga të gjithë tifozët.

Hakmarrja e Zazas erdhi në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 80 të duelit. Sulmuesi kaloi në mënyrë spektakolare dy futbollistët kundërshtarë dhe pastaj lëshoi një goditje të pakapshme për portierin vendas, duke u larguar pastaj me një reagim sikur për të kishte qenë diçka normale.