Zbulohen fjalët e Luke Shaw që ia kishte thënë Mourinhos

Futboll 30 Mars 2018 08:06

Raporti jo i mirë i trajnerit të Manchester United, Jose Mourinho, me disa lojtarë po përflitet tash e një kohë.

Ndër ta është edhe mbrojtësi i majtë, Luke Shaw, për të cilin para pak kohësh, Mourinho pati kritika të ashpra për paraqitje të dobët.

Shtypi britanik, më saktësisht “Daily Mail”, ka zbuluar fjalët që ia kishte thënë Shaw portugezit Mourinho, kur ky i fundit e zëvendësoi atë në ndeshjen e United kundër Brighton në kuadër të FA Cup, e cila u zhvillua më 17 mars.

Manchester United e fitoi takimin me rezultat 2-0, por Mourinho nuk ishte fare i kënaqur me paraqitjen e disa lojtarëve dhe në konferencë për shtyp mbajti fjalimin e famshëm 12 minutësh, duke e vënë në pikëpyetje dëshirën e lojtarëve të tij për fitore.

Në ndeshjen kundër Brighton, Luke Shaw ishte zëvendësuar me të filluar pjesa e dytë dhe sipas “Daily Mail”, mbrojtësi i majtë ishte shumë i nervozuar me këtë vendim dhe e kishte pyetur Mourinhon “Pse e ke gjithmonë me mua”, duke lënë të kuptohet se, Shaw edhe më herët nuk ka qenë i kënaqur se si është trajtuar nga trajneri.

Thuhet se Mourinho i është përgjigjur duke i thënë se, nuk po e kryen punën e tij mirë në mbrojtje dhe është duke i lejuar shumë hapësira kundërshtarit në krahun e majtë.

Gjithnjë sipas “Daily Mail”, thuhet se zërat e ngritur të kësaj përplasjeje, janë dëgjuar edhe jashtë zhveshtores, ku po ndodhte kjo fjalosje derisa skuadrat ishin në pushimin e pjesëve dhe duket se aty Mourinho i ka bërë me dije Shaw, se do ta zëvendësojë menjëherë, posa të fillojë pjesa e dytë, çka edhe e bëri.

Përndryshe, së fundmi për Shaw thuhet se ka interesim, madje edhe nga Barcelona, që e shikon si një opsion të dytë pas Jordi Albas.

Megjithatë, Luke Shaw ka kontratë me “Djajtë e Kuq” deri më 2019 dhe më parë mbrojtësi 22 vjeçar ishte parë nga United si një investim për të ardhmen, pasi kishin besuar në talentin dhe punën e tij, mirëpo me zhvillimet e fundit në mes tij dhe Jose Mourinhos, mbetet të shihet çfarë do të ndodh gjatë verës, ku pritet se do të largohet një numër i konsiderueshëm i lojtarëve nga “Old Trafford”. /Insporti.com

-->