Zbulohet aksidentalisht lista finale e Belgjikës – Ja kush mungon në Botëror (Foto)

Futboll 01 Qershor 2018 11:31

Belgjika, njëra nga kombëtaret me disa prej futbollistëve më të mirë në skuadrat evropiane sot, në Kampionatin Botëror në Rusi që fillon më 14 qershor, është pjesë e grupit G, bashkë me Anglinë, Panamanë dhe Tunizinë.

E derisa përfaqësueset kohë më parë i publikuan listat preliminare të lojtarëve që do të marrin pjesë në Kupën e Botës, gjatë një emisioni televiziv ku po raportohej për fazën përgatitore të Belgjikës, është zbuluar aksidentalisht edhe lista përfundimtare e futbollistëve që do të jenë pjesë më Belgjikën në Botërorin e Rusisë.

Përzgjedhësi Roberto Martinez, më herët kishte bërë të ditur listën preliminare me emrat e 28 lojtarëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Adnan Januzaj, e cila në fund do të shkurtohej në 23 futbollistë që do ta përbënin ekipin belg.

Mirëpo, sipas reportazhit në fjalë të televizionit publik belg, lista përfundimtare veçse është përfunduar dhe nga trajneri Martinez përzgjedhja është e qartë.

Nga emrat paraprakë, këta pesë lojtarë nuk kanë arritur të futen në 23-ën përfundimtare: portieri Matz Sels, mbrojtësit Christian Kabasele e Jordan Lukaku, mesfushori Leander Dendocker dhe anësori Adnan Januzaj.

Belgjika do t’i zhvilloj edhe tri miqësore para fillimit të Botërorit, atë me Portugalinë nesër më 2 qershor, me Egjiptin më 6 qershor dhe Kosta Rikën më 11 qershor. Kurse, ndeshjen e parë në Kupën e Botës “Rusia 2018”, Belgjika e luan më 18 qershor kundër Panamasë. /Insporti.com

-->